Kuvendi i Kosovës miraton 10 projektligje, debat i ashpër për ligjin e “çmimeve tavan” për produktet e shportës

Nga Ideal Gola
10 Prill 2026, 23:23 | Kosova

Kuvendi i Kosovës miraton 10 projektligje, debat i ashpër për

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë dhjetë projektligje, me fokus në ekonomi, shëndetësi dhe çështje sociale. Debati më i ashpër u zhvillua për Projektligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore, i njohur si ligji për “çmimet tavan” për produktet e shportës, raporton A2CNN. 

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se ligji synon mbrojtjen e qytetarëve dhe do të përdoret vetëm në situata të jashtëzakonshme. Sipas tij, nuk është kundër tregut të lirë, por kundër abuzimeve me çmimet.

Opozita e kundërshtoi. Arben Mustafa nga PDK tha se ligji i jep Qeverisë kontroll mbi tregun dhe nuk ndikon në uljen e çmimeve, sidomos kur ato varen nga importi. Ai kritikoi edhe mungesën e një metodologjie të qartë për vendimmarrjen e bordit që parashihet në projektligj.

Janina Ymeri nga LDK tha se bordi nuk është i pavarur pasi emërohet nga Ministria, ndërsa Besnik Tahiri nga AAK e quajti atë strukturë politike. Në fund, projektligji kaloi vetëm me 63 votat e mazhorancës.

Në lexim të parë kaluan edhe projektligjet për sigurimin shëndetësor të detyrueshëm, shërbimet e pagesave, ndryshimet në ligjin për kontabilitet, si dhe ai për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”. Po ashtu u miratuan në parim projektligjet për resurset ujore, banimin social, shtetësinë, lëndët plasëse dhe provimin e maturës. Seanca u mbyll pak para orës 23:00. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos