
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj pjesëtarit të xhandamërisë serbe, Sërgjan Lazoviçit, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë.
Departamenti Special e ka shpallur Lazoviçin fajtor se, në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka kryer veprën penale “Krime të luftës kundër popullsisë civile”, sipas legjislacionit penal në fuqi në kohën e kryerjes së veprës dhe Kodit Penal aktual të Republikës së Kosovës. Gjykata e ka dënuar atë me 12 vjet e 6 muaj burgim, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, shkruan A2 CNN.
Sipas aktgjykimit, Lazoviçi akuzohet se në periudhën 1998-1999, gjatë luftës në Kosovë, në fshatin Panorc të Komunës së Malishevës, duke vepruar së bashku me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Nga 3 deri më 5 shtator 1998, ai dyshohet se ka marrë pjesë në arrestime, ndalime të kundërligjshme, tortura dhe keqtrajtime fizike e psikike ndaj rreth 500 civilëve shqiptarë, me qëllim frikësimin, dëbimin masiv dhe spastrimin etnik të popullatës. (A2 Televizion)