
Sot, më 29 Janar 2026, në Pejë dhe Gjakovë, Dogana e Kosovës, në koordinim të ngushtë me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, ka realizuar një operacion të përbashkët kontrolli ndaj disa farmacive, për të cilat kishte dyshime të bazuara për posedim dhe tregtim të barnave të kontrabanduara.
Në kuadër të aksionit, janë angazhuar shtatë njësi operative, prej të cilave:
një njësi ka kryer kontrolle në territorin e Gjakovës;
gjashtë njësi të tjera kanë realizuar kontrolle në territorin e Pejës.
Gjatë kontrolleve të realizuara në disa lokacione, janë evidentuar parregullsi lidhur me posedimin e medikamenteve pa dokumentacion përkatës dhe pa banderolla fiskale, ndërsa në disa lokacione të tjera nuk janë konstatuar shkelje.
Si rezultat i këtij aksioni, janë sekuestruar gjithsej 988 pako medikamente, për të cilat vlera e përafërt vlerësohet të jetë rreth 10,000.00 euro, shkruan A2 CNN.
Aksioni është zhvilluar në përputhje të plotë me procedurat standarde operative dhe paraqet një tjetër angazhim konkret të Doganës së Kosovës dhe institucioneve partnere në luftimin e kontrabandës, mbrojtjen e shëndetit publik dhe forcimin e sundimit të ligjit. (A2 Televizion)