Dy vajza, 23 vjeçe dhe 20 vjeçe, kanë humbur jetën sot në Kosovë pas lëndimeve të marra në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi rreth orës 10:00.
Aksidenti ka ndodhur në një rrugë të rajonit të Gjilanit dhe ka përfshirë një kamion dhe një automjet tjetër, ku shoferi i kamionit është ndaluar nga policia, ndërsa një pasagjere e veturës së përfshirë është dërguar në spital për trajtim mjekësor.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka konfirmuar ngjarjen dhe ka bërë me dije se hetimet janë në zhvillim e sipër. Sipas tij, hetimet e kryera nga Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor, shikimi i vendit të ngjarjes, analiza e kamerave të sigurisë dhe mbledhja e provave të tjera kanë çuar në dyshimin se aksidenti nuk ka qenë një vetaksident, por një aksident trafiku i shkaktuar nga manovrat e papërshtatshme të drejtuesit të kamionit.
“Drejtuesi i kamionit, mashkull kosovar i lindur në vitin 1970, dyshohet se ka bërë një kthim të pasigurt, duke penguar një automjet që ishte në tejkalim. Si pasojë e kësaj, drejtuesja e automjetit ka humbur kontrollin mbi mjetin për shkak të mos përshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës dhe ka tentuar të shmangë goditjen me kamionin, duke u rrokullisur jashtë rrugës,” tha Hashani.
Policia dhe autoritetet e tjera përkatëse po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të aksidentit, ndërsa ngushëllime për humbjen e jetëve të rinjve janë shprehur nga komuniteti dhe familjarët. (A2 Televizion)