Një banor i fshatit Zupç, në komunën e Zubin Potokut, është ndaluar për 48 orë nga autoritetet e Kosovës, nën dyshimin se ka dhënë deklarim të rremë gjatë një hetimi për krime lufte.
Sipas avokatit të tij, Milosh Deleviq, personi me inicialet D.V. u ndalua fillimisht në pikëkalimin kufitar të Bërnjakut dhe u shoqërua për t’u marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarit në hetimin që po zhvillon Prokuroria Speciale e Kosovës për krimet e luftës në Zubin Potok, shkruan A2 CNN.
Avokati tha se, pas dhënies së dëshmisë, prokurori vendosi të nisë procedurë penale ndaj tij për dyshimin e deklarimit të rremë, duke urdhëruar ndalimin policor deri në 48 orë. Prokuroria Speciale është duke zhvilluar hetime për krime lufte në komunën e Zubin Potokut, ku po kryhen gërmime në disa lokacione për të gjetur mbetje mortore të shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës së vitit 1999, kryesisht nga rajoni i Mitrovicës.
Në kuadër të këtij hetimi, deri më tani janë arrestuar edhe tre persona të tjerë në Zubin Potok, ndaj të cilëve gjykata ka caktuar masën e paraburgimit njëmujor. (A2 Televizion)