
Gjykata Themelore në Gjakovë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 22 personave të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit, duke vendosur ndaj tyre masën e paraqitjes së detyrueshme në stacion policor.
Vendimi u mor pas tri seancave dëgjimore të mbajtura mbrëmjen e kaluar, ku gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, vlerësoi se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për paraburgim.
Sipas Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të dyshuarit, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave, me autorizim nga KQZ, dyshohet se kanë ndërhyrë në mënyrë të kundërligjshme në procesin e numërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Gjakovë, duke falsifikuar rezultatet dhe cenuar integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e votuesve.
Gjykata ka caktuar masën e paraqitjes në stacion policor për një periudhë një mujore, nga 6 shkurt deri më 5 mars 2026.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit ligjor. (A2 Televizion)