Falsifikim i rezultateve të votimit në Komunën e Gjakovës, kërkohet paraburgim ndaj 22 kryesuesve

Nga Ideal Gola
6 Shkurt 2026, 16:41 | Kronikë

Falsifikim i rezultateve të votimit në Komunën e Gjakovës,

Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton opinion publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës-Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, ka realizuar veprimet lidhur me dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike për zgjedhjet e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në Komunën e Gjakovës.

Në kuadër të këtyre veprimeve janë intervistuar 22 (njëzet e dy) kryesues.

Të gjithë të dyshuarit ngarkohen për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, 22 (njëzet e dy) kryesuesit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndaj të cilëve Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe në trajtimin me prioritet të veprave penale që cenojnë votën e lirë dhe demokratike të qytetarëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos