Një raport i ri i Iniciativës për Media të Lira në Ballkan ka ngritur alarmin për fenomenin e quajtur “tiktokracia”, një formë e re ndikimi politik përmes manipulimit të algoritmeve të TikTok-ut, që po përhapet me shpejtësi në gjithë rajonin dhe po ndikon drejtpërdrejt në proceset demokratike. Raporti, i paraqitur edhe në Parlamentin Europian, analizon raste konkrete ku përmbajtja virale është përdorur për të ndikuar opinionin, zgjedhjet dhe tensionet ndëretnike.
Në një intervistë për emisionin Rretheqark, kërkuesja shkencore Alexandra Karppi shpjegoi se TikTok është kthyer në platformën më të fuqishme të formësimit politik, veçanërisht në vende të vogla si Kosova, ku të rinjtë informohen pothuajse ekskluzivisht nga videot e shkurtra. Sipas saj, algoritmet e TikTok-ut po përdoren si “inxhinieri sociale” për të minuar institucionet demokratike dhe për të amplifikuar narracione destabilizuese.
Raporti evidenton taktika të sofistikuara si “Firehose”, ku mijëra video, komente dhe postime shpërndahen në mënyrë të sinkronizuar për të rritur artificialisht popullaritetin e përmbajtjes, duke e bërë atë të duket organike dhe të pavarur. Rastet e identifikuara në Rumani, Bullgari dhe Kosovë tregojnë se aktorë politikë, rrjete të paguara dhe grupe të jashtme mund të manipulojnë informacionin duke përdorur llogari të rreme, përmbajtje të përzier (humor, lifestyle, sport) dhe rrëmbim të hashtagëve kundërshtarë për të infiltruar te votuesit e pavendosur, shkruan A2 CNN.
Karppi ngriti shqetësimin se rreziku për tensione ndëretnike është i lartë, sidomos pas ngjarjeve të Banjskës, ku narracionet online u përdorën për të rritur polarizimin. Ajo theksoi se ekziston mundësia që rrjete të lidhura me Serbinë dhe Rusinë të influencojnë zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, edhe pse provat e plota ende mungojnë.
Kërkuesja sugjeroi që Kosova duhet urgjentisht të përfshihet në arkitekturën mbrojtëse demokratike të BE-së, të forcojë legjislacionin kundër dezinformimit dhe të bashkëpunojë ngushtë me platformat sociale. Sipas saj, nëse nuk veprohet tani, zgjedhjet e ardhshme rrezikojnë të ndikohen nga skenarë si ai i Rumanisë, me pasoja serioze për stabilitetin e vendit dhe të rajonit. (A2 Televizion)
