
Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur të enjten se e ka anuluar seancën gjyqësore ndaj dy të akuzuarve për spiunazh, Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, meqë trupi gjykues ka urdhëruar një ekzaminim për gjendjen mendore të Shabanit.
Propozimin për këtë ekzaminim e ka bërë mbrojtja e tij, ndërsa Gjykata ka bërë të ditur se pret që procedura të përfundojë brenda një kohe të shkurtër.
Shabani dhe Qerimi akuzohen për spiunazh për Serbinë, ndërsa të dy janë deklaruar të pafajshëm, përcjell A2.
Në mesin e akuzave kundër tyre përfshihet dhënia e informacioneve për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA) prej periudhës së luftës në Kosovë, e deri në periudhën e arrestimit të tyre më 2024.
Sipas autoriteteve të Kosovës, ata e kanë rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin kushtetues juridik dhe sigurinë e Kosovës.
Së voni, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se kanë spiunuar për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.
Në mesin e tyre është Fatmir Sheholli, të cilit i është vazhduar së fundmi masa e paraburgimit.
Në qershor të këtij viti, autoritetet e drejtësisë në Kosovë e kanë dënuar me pesë vjet burgim Aleksandar Vllajiqin, pasi ai e ka pranuar fajësinë për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar BIA-s serbe.
Në një rast tjetër po gjykohet edhe serbja Jellena Gjukanoviq, e cila akuzohet për spiunazh për inteligjencën serbe. Ajo e ka mohuar fajësinë.
Në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitetet sekret i mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse i dyshuari shpallet fajtor.
Ekspertët kanë thënë se spiunazhi është kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës dhe arrestimet e fundit vetëm sa nxjerrin në pah rrezikun e vazhdueshëm.
Sipas tyre, ky aktivitet jo vetëm që destabilizon vendin brendapërbrenda, por dëmton edhe pozitën e tij ndërkombëtare.
Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Burim Ramadani, e konsideron spiunazhin si një prej kërcënimeve kryesore të sigurisë kombëtare në vend./ REL (A2 Televizion)
