Një shpërthim është dëgjuar pas mesnate në Leposaviq. Ngjarja tashmë është regjistruar në Policinë e Kosovës ndërsa dyshohet se një mjet shpërthyes është hedhur pranë objektit të ish-komunës ilegale në Leposaviq. Kështu kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovë.
Njësitë policore, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, për të kryer ekzaminime dhe hetime lidhur me rastin. Nuk raportohet për lëndime, përderisa hetimet për rastin janë duke vazhduar nga njësitet kompetente policore, ka bërë të ditur policia e Kosovës, raporton A2 CNN.
Policia e Kosovës ka njoftuar se aksioni që zgjati për disa orë kundër institucioneve paralele ka përfunduar me ndërprerjen e aktiviteteve ilegale dhe mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale në veri të Kosovës.
Policia tha se janë mbyllur këto komuna paralele: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna ilegale e Mitrovicës, Komuna ilegale e Zveçanit, Komuna ilegale e Zubin Potokut dhe Komuna ilegale e Leposaviqit. Policia ka bërë të ditur edhe çfarë provash materiale janë konfiskuar në këto institucione ku u zhvilluan kontrollet policore.
Sipas njoftimit të Policisë, në cilësi të provave materiale janë konfiskuar dokumentacione, pajisje teknologjike dhe dëshmi relevante që ndërlidhen me aktivitetet ilegale, të ushtruara nga strukturat ilegale në këto objekte. (A2 Televizion)