Naim Murseli, i dyshuari kryesor për vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademajt, është deklaruar i pafajshëm gjatë seancës gjyqësore të mbajtur sot.
Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Murseli mohoi përfshirjen në ngjarjen tragjike që tronditi opinionin publik muaj më parë. Megjithatë, ai shtoi se në rast se akuzat e Prokurorisë rezultojnë të vërteta, ai vetë do të kërkojë dënimin më të rëndë të mundshëm.
“Unë deklarohem i pafajshëm. Sa i përket aktakuzës, dua të shtoj se nëse të vërtetohen pretendimet e prokurorisë, për vetën time do të kërkoj dënim të përjetshëm,” u shpreh Murseli para gjykatës.
Deklarata e tij vjen në një fazë kyçe të procesit gjyqësor, ku organet e drejtësisë po shqyrtojnë provat dhe dëshmitë e mbledhura për një nga rastet më të rënda të dhunës në familje në Kosovë.
Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve dhe paraqitjen e provave nga Prokuroria dhe pala mbrojtëse. (A2 Televizion)