Policia e Kosovës njoftoi se dy persona janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe një është liruar në procedurë të rregullt, teksa ata dyshohen se mashtruan dhjetë gra.
Sipas njoftimit, R.D, V.G, dhe A.H, kishin mashtruar dhjetë gra, të gjitha ish-pjesëmarrëse në luftërat në Siri dhe Irak, duke iu premtuar donacion në emër të integrimit të tyre në shoqërinë e Kosovës.
“Viktimat janë bindur që të aplikojnë për marrjen e donacioneve në një institucion mikrofinanciar me seli në Prishtinë duke ju prezantuar se ato do të marrin donacion, por që në realitet kanë nënshkruar kontrata për kredi në vlerë prej 4.500.00 deri në 5.000 euro”, u tha në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Autoritetet thanë se R.D, kishte identifikuar viktimat dhe i kishte dërguar ato në institucionin mikrofinanciar për aplikim. V.G, që ishte zyrtar në këtë institucion, kishte përpiluar dosjet dhe kontratat, ndërkaq i dyshuari A.H kishte aprovuar kreditë në cilësinë e menaxherit të këtij institucioni.
“Pas daljes së mjeteve në llogaritë bankare të palëve ankuese, i dyshuari [R.D] ka shkuar së bashku me palët në banka duke tërhequr mjete më pas të gjithave iu ka dhënë nga 500 euro, ndërsa mjete tjera i ka marrë në emër të pagesave për zyrtarët të cilët i kanë kryer shërbimet”, tha Policia.
Sipas autoritetet, palët ankuese e kanë kuptuar mashtrimin vetëm kur institucioni mikrofinanciar u ka kërkuar që të nisin pagesën e kredisë.
Dëmi që u është shkaktuar palëve, sipas autoriteteve të sigurisë, llogaritet të jetë 45.000 euro. (A2 Televizion)