
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Majac të Podujevës, ku dy persona kanë humbur jetën, ndërsa një grua ndodhet në gjendje të rëndë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Rasti u raportua rreth orës 18:40, pasi Policia e Kosovës pranoi informatë për një person pa shenja jete brenda një veture.
Në një veturë të bardhë me targa lokale 01 është gjetur pa shenja jete Ilaz Ibrahimi, 45 vjeç, nga Obiliqi.
Gjatë hetimeve, policia siguroi informacione për një person të armatosur brenda një shtëpie në afërsi. Në vendngjarje ndërhyri Njësia Speciale Intervenuese dhe ekipet për ndërmjetësim.
Brenda shtëpisë janë gjetur dy gra me plagë të rënda, të cilave u është dhënë ndihma e parë dhe janë dërguar në QKUK për trajtim.
Njëra prej tyre, Miradije Gashi, 70 vjeç, nuk u mbijetoi plagëve dhe ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit.
Si e dyshuar për rastin është Ardita Gashi, 30 vjeç, e cila ndodhet në gjendje të rëndë dhe nën mbikëqyrje mjekësore.
Prokuroria e ka ricilësuar rastin si “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. (A2 Televizion)