Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të vitit 2023.Në gjykate u sollën tre persona të akuzuar për këtë rast, përfshirë edhe bashkëshortin e Liridonës, Naim Murseli, raporton A2 CNN.
Para nisjes së gjykimit, familja e Liridonës tha se beson në drejtësi dhe shpreson që gjykimi të jetë “efikas, profesional, pa gabime, pa vonesa dhe transparent”.
Më 15 janar të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se kishte ngritur aktakuzë ndaj katër personave për vrasjen e 30-vjeçares Ademaj.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Rasti fillimisht ishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, por dy ditë më vonë autoritetet kishte arrestuar dy persona. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli, transmeton A2 CNN.
Të akuzuarit e tjerë janë Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe një person i katërt, emri i të cilit nuk është përmendur nga prokurorët kur ata njoftuan për ngritjen e aktakuzës. Sipas Prokurorisë, Naim Murseli kishte “planifikuar gjithçka”, ndërkaq Kokalla dhe Plava, sipas organit ndjekës ishin “ekzekutues të drejtpërdrejtë” të Liridonës. I akuzuari i katërt, sipas Prokurorisë është i përfshirë në mënyrë të tërthortë në këtë rast. (A2 Televizion)