Policia e Kosovës shkatërron mbi 760 armë ilegale

Nga A2 CNN
26 Shtator 2025, 16:45 | Kronikë

Policia e Kosovës shkatërron mbi 760 armë ilegale

Policia e Kosovës ka organizuar sot ceremoninë e shkatërrimit të armëve të vogla dhe të lehta ilegale, mbi 760 sosh, në fshatin Prelez të Ferizajt. Pas shkatërrimit, nga materiali i armëve që shkrihen do të krijohen kapak të pusetave.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se procesi i shkatërrimit të armëve bëhet me qëllim për të ofruar sa më shumë siguri për qytetarët. Hoxha potencoi se nuk janë të rralla rastet ku armët ilegale janë përdorur gjatë rasteve kriminale.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të përdorin sa më pak armët. Hoxha bëri të ditur se nga viti 1999 deri më tani, janë konfiskuar mbi 36 mijë armë ilegale.

Ndërkaq, nga viti 2005 deri tani janë shkatërruar rreth 16 mijë armë të gjata dhe të shkurta.

“Shumë jetë janë humbur për shkak të përdorimit të armëve ilegale. Iu bëjmë thirrje gjithë qytetarëve tonë që të qëndrojnë larg armëve ilegale…Policia e Kosovës që nga viti ‘99 e deri më sot ka konfiskuar rreth 36 mijë e 36 armë. Përafërsisht i bie rreth 1 mijë e 100 armë që janë konfiskuar çdo ditë. Që nga viti 2005 e deri më sot ka shkatërruar 15 mijë e 904 armë të shkurtra dhe të gjata”, tha Hoxha.

Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Nuno Queiros tha se qëllimi i shkatërrimit të armëve është promovimi i një shoqërie paqësore, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.

Ai potencoi se armët e vogla dhe të lehta të paligjshme shkaktojnë pasiguri, dëmtojnë civilët, minojnë institucionet dhe shpesh përdoren në dhunë bazuar në gjini dhe dhunë në familje.

“Policia, Ministria e Punëve të Brendshme dhe autoritetet e tjera relevante kanë treguar një angazhim të jashtëzakonshëm për të luftuar trafikun e paligjshëm, posedimin dhe keqpërdorimin e armëve. Por mund të jeni të sigurt se ne, si UNDP, dhe ekipi im i pranishëm sot, do të vazhdojmë t’ju mbështesim dhe jemi shumë krenarë që jemi partneri juaj i besuar në këto përpjekje”, tha Queiros.

Ky aktivitet mbështetet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) përmes Programit për Siguri dhe Siguri në Kosovë (KSSP), me mbështetje financiare nga Gjermania, Suedia, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Holanda dhe Norvegjia, si dhe përmes Vendimit të Këshillit (PESK) 2024/3006 të datës 2 dhjetor 2024, në mbështetje të aktiviteteve të çarmatimit dhe kontrollit të armëve të SEESAC në Evropën Juglindore, me qëllim zvogëlimin e kërcënimit nga armët e vogla dhe armët e lehta (SALW) të paligjshme dhe municionit të tyre. Kosovapress. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos