Rrahje mes dy familjeve në Lipjan, arrestohen 10 persona

Nga A2 CNN
23 Gusht 2025, 16:24 | Kronikë

Rrahje mes dy familjeve në Lipjan, arrestohen 10 persona

Policia e Kosovës ka arrestuar dhjetë persona, anëtarë të dy familjeve të ndryshme, pasi janë përfshirë në një rrahje masive, për motive ende të panjohura.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë përleshjes dyshohet se janë përdorur mjete të forta, ndërsa në posedim të njërit nga të dyshuarit është gjetur dhe konfiskuar një armë automatike, dy karikatorë dhe 46 fishekë, të cilët nuk janë përdorur gjatë incidentit.

Nga përleshja kanë mbetur të lënduar dy persona, ku njëri është liruar pas trajtimit mjekësor, ndërsa tjetri është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejshëm.

Policia ka konfiskuar armën, municionin dhe mjetet e tjera të përdorura në vendin e ngjarjes si dëshmi materiale.

Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, prokurori i rastit ka urdhëruar ndalimin për 48 orë për të gjithë të dyshuarit, përfshirë edhe ata që kanë pësuar lëndime. Kosovapress (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos