Serbia arreston shqiptarin, ekspertët: Hakmarrje e Beogradit për zbulimin e spiunëve

Nga A2 CNN
5 Gusht 2025, 20:01 | Kronikë

Shtetasi kosovar Behar Preniqi është i fundit qytetar i arrestuar nga autoritetet serbe në vargun e arrestimeve të fundit që janë bërë në territorin e Serbisë.

Preniqi u ndalua në pikën kufitare Batrovci, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, ndërsa po udhëtonte nga Gjermania drejt Kosovës, shkruan A2.

Ministria e Punëve të Jashtme reagoi duke e cilësuar rastin si arrestim arbitrar dhe të paprovokuar.

Ajo i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të reagojë zëshëm dhe me vendosmëri ndaj praktikave represive të Serbisë, të cilat janë në kundërshtim me parimet themelore të të drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut: “Rasti i fundit i arrestimit të qytetarit Behar Preniqi përbën një tjetër dëshmi të qartë të praktikave të papranueshme dhe destruktive të autoriteteve serbe, të cilat bien në kundërshtim të hapur me të drejtën ndërkombëtare dhe me standardet themelore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.

Ekspertët e sigurisë këto arrestime i konsiderojnë si hakmarrje pasi autoritetet kosovare arritën të zbulojnë një rrjet spiunazhi duke arrestuar 6 persona si dhe ndihmësdrejtorin e të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviç që u zbulua se ka regjistuar jashtëligjshëm takimet në Bruksel.

Gurakuç Kuçi, ekspert i sigurisë, deklaroi: “Vargu i atyre të cilët u zbuluan nga institucionet e sigurisë së Kosovës që janë spiunë të Serbisë në Kosovë e bëri Serbinë të duket dhe të demaskohet si një shtet i cili është duke bërë një agresion spiunazhi ndaj një shteti tjetër, tani Serbia për të relativizuar dhe për të humbur në media këtë çështje ajo ka filluar si një lloj hakmarrje dhe njëlloj propagande me arrestimin e disa shqipatrëve”.

Në paraburgim në Serbi është edhe Arbnor Spahiu ish-polic i Kosovës me akuzën se ka marr pjesë në rastin e Banjskës edhe pse ishte dorëhequr një vit para ngjarjes. Gjithashtu, u ndalua edhe Lulzim Halili si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe pse u konstatua nga organizatat e veteranëve se nuk është në listën e tyre.

Ndërsa autoritetet serbe ndaluan edhe Sasha Gjorgjeviç si i dyshuar për bashkëpunëtor të Shërbimit Informativ të Shtetit të Shqipërisë (SHISH), përmes Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI): “[Serbia] Me patjetër, sidomos për rastet e fundit në Kosovë duhet ta mbrojë imazhin e vet në çdo formë dhe imazhi i tyre po mbrohet në formën më të keqe për shqiptarët sepse shqiptarët të cilët po i arresotjnë ata janë realisht njerëz të pafajshëm”.

Ministria e Punëve të Jashtme u bëri sërish thirrje gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shmangin udhëtimet përmes territorit të Serbisë, për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos