Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Baicë të komunës së Lipjanit, ku është gjetur një trup i pajetë i groposur.
Edhe pse identiteti zyrtar nuk është konfirmuar, viktima dyshohet të jetë Enver Bajraktari, person i raportuar më parë si i zhdukur.
Lajmin e ka konfirmuar për mediat zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. Ajo bëri të ditur se rasti po trajtohet si vrasje e rëndë dhe hetimet janë në zhvillim e sipër.
“Sot rreth orës 12:00, në fshatin Baicë të Lipjanit, është gjetur i groposur një trup i pajetë (ende i paidentifikuar). Hetuesit policorë, në koordinim me prokurorinë, kanë nisur veprimet procedurale. Trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi dhe identifikim”, tha Ahmeti.
Sipas të dhënave fillestare, trupi është zbuluar nga vetë familjarët e viktimës, të cilët kishin raportuar zhdukjen e tij ditë më parë dhe kishin kërkuar ndihmë publike për gjetjen.
Aktualisht, nuk ka informacione mbi motivin e mundshëm apo ndonjë të dyshuar konkret, por policia dhe prokuroria janë duke punuar intensivisht për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tronditëse. (A2 Televizion)