Policia e Kosovës ka arrestuar 5 persona për shkak të cenimit të përcaktimit të lirë të votuesve. Katër femra të dyshuara kosovare janë arrestuar në Zubin Potok, për shkak se dyshohet që kishin marrë në telefon një person dhe i kishin kërkuar ta votojë një subjekt politik, në të kundërtën do t’ia ndalnin ndihmën sociale. Gazetari i a2 CNN Ideal Gola njofton se kjo është bërë e ditur nga Policia e Kosovës në raportin 24 orësh derisa në cilësi të provave materiale gjatë kontrollit në objektin e Qendrës për Punë Sociale në Zubin Potok i kanë bërë disa sekuestrime.
“Në cilësi të provave materiale gjatë kontrollit objektin e Qendrës për Punë Sociale në Zubin Potok janë sekuestruar një aparat telefonik dhe listat me emrat dhe numrat e personave që dyshohet se janë kontaktuar me qëllimin e njëjtë. Në konsultim me prokurorin pas intervistimit të dyshuarat janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim të policisë.
Po ashtu në sheshin “Car Llazar”, në Mitrovicë të Veriut është arrestuar një person i cili i kishte thënë një personi tjetër se nëse nuk e voton një subjekt të caktuar do t’ia largojë vajzën nga puna.
“Është arrestuar i dyshuari/k, se i njëjti i kishte thënë ankuesit/k se nëse nuk e voton një subjekt të caktuar politik do ta largojë nga puna vajzën e ankuesit. Në cilësi të provave materiale gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar një llap-top dhe dy telefona. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, përfundon njoftimi. (A2 Televizion)