Shembja e objektit, u jepet lamtumira 3 të miturve që humbën jetën në Jabllanicë

Nga Ideal Gola
3 Shkurt 2025, 20:17 | Kronikë

Ideal Rama, Ramë Mehmetaj dhe Veton Morina u varrosën gjatë ditës së hënë në fshatin Jabllanicë, aty ky dy ditë më parë humbën jetën pasi një objekt i pabanuar u shemb. Në varrim morën pjesë edhe figura të larta shtetërore.

Tre adoleshentët që humbën jetën pasi u shemb një objekt në fshatin Jabllanicë të Gjakovës janë varrosur të hënën.

Qytetarë të shumtë, përfshirë kreun e Kuvendit, Glauk Konjufca, ministra e deputetë, u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit Ideal Ramës, Ramë Mehmetajt dhe Veton Morinës.

“Kjo është një ditë e rëndë për secilin prej nesh, ndoshta një prej ditëve më të rënda që i kemi përjetuar rishtazi. Por, nuk ka ditë më të rëndë për familjen. Ideali, Rama edhe Vetoni tre djem të rinj, tre engjëj po i përcjellim në amshim, por këta janë të Zotit, këta janë të parajsës”, tha kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini.

Të mërzitur u shprehën edhe shokët e shoqet e klasës së 13 dhe 15-vjeçarëve.

“Shumë fragmente të jetës sonë janë të lidhura edhe me jetët e tyre. Ata janë pjesë e kujtimeve të përbashkëta gjithmonë të qeshur, të sjellshëm, ambicioz e të dashur e mbi të gjitha me edukate”, tha shoku i klasës së të ndjerëve, Ledion Humaj.

Prokuroria Themelore në Gjakovë së bashku me Policinë e Kosovës janë duke hetuar rastin pasi deri më tani ende nuk dihen rrethanat se çfarë e shkaktoi shembjen që i mori jetën tre të rinjve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos