
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe inspektoratet përkatëse, ka zhvilluar një aksion të gjerë për kontrollin e 15 bizneseve që ofronin shërbime estetike në mënyrë të paligjshme.
Sipas Prokurorisë, bizneset dyshohet se kanë përdorur produktin medicinal botoks pa personel të certifikuar dhe në kundërshtim me ligjin, ndërsa në Kosovë nuk rezulton të ketë operator të licencuar për importin e këtij produkti. Hetimet po vijojnë për disa vepra penale, në mbrojtje të shëndetit publik.
Njoftimi i Prokurorisë në Prishtinë
Prokuroria dhe Policia në aksion! Kontrolle në 15 biznese në Prishtinë për shërbime estetike ilegale me botoks
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, përkatësisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, e njofton opinionin publik se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, respektivisht Njësinë për Hetimin e Falsifikimit të Parasë dhe Dokumenteve Zyrtare, Inspektoratin Shëndetësor dhe Inspektoratin e Tregut, sot me datë 17.12.2025, është duke zhvilluar një aksion të gjerë.
Ky aksion po realizohet në zbatim të Urdhrit për Kontroll dhe Sekuestrim të Përkohshëm të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, për kontrollin e 15 lokacioneve – bizneseve që të gjitha në Prishtinë dhe sekuestrimin e provave që dyshohet se kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me veprat penale në hetim, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtare nga neni 414 të KPRK-së, Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësorë nga neni 256 të KPRK-së, dhe Tregti e ndaluar nga neni 299 të KPRK-së, kjo për shkak të ekzistimit të dyshimit të arsyeshëm se këto biznese, në kundërshtim me Ligjin për Produkte Medicinale, kanë ofruar shërbime estetike duke përdorur produktin medicinal Botoks edhe pse sipas ligjit, ofrimi i këtij shërbimi bëhet nga personeli i certifikuar.
Po ashtu, bazuar në të dhënat zyrtare, rezulton se në Republikën e Kosovës, nuk ka operator ekonomik të licencuar për importin e këtij produkti medicinal dhe si i tillë, ky produkt mbi këto rrethana, trajtohet si ilegal.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, do të vazhdojë me përkushtim të plotë ndërmarrjen e masave ligjore ndaj çdo forme të veprimtarisë së kundërligjshme, me qëllim parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie negative në mbrojtje të interesit publik dhe shëndetit të qytetarëve. (A2 Televizion)