Pasi mbrojtja e Hashim Thaçit rrëzoi plotësisht pretendimet e prokurorisë në Gjykatën Speciale, edhe avokati i Kadri Veselit bëri të njëjtën gjë. Përfaqësuesi ligjor, Rodney Dixon, tha në sallë se nuk ekziston asnjë provë e saktë që vërteton akuzën e ngritur ndaj Veselit. “Ka pasur persona që kanë gënjyer nën betim, duke mos e thënë të vërtetën”, tha avokati duke iu referuar dëshmitarëve të thirrur nga Zyra e Prokurorisë Speciale.
Gjithashtu rrëzoi pretendimet për abuzim pas luftës. “Kur Veseli flet për zhvillimin e Shërbimit Informativ i Kosovës pas luftës, ajo s’ka të bëjë fare me atë që mund të ketë ndodhur gjatë luftës”, theksoi avokati. Dixon pati kritika edhe për Gjykatën Speciale, ndërsa i kërkoi që të bëjë shumë kujdes lidhur me informacionet që kanë ardhur nga Serbia.
“Autoritetet serbe dhe mbështetja e tyre për këtë gjykatë po ashtu duhet të merren parasysh në veçanti kur flitet për qëllime forenzike për vlerësimin e provave që ata i kanë dhënë gjykatës”, u shpreh ai. Prokuroria Speciale ka kërkuar nga 45 vite, ose 180 vite në total, për 4 ish krerët e UÇK-së. (A2 Televizion)