Me kërkesën për 180 vjet burgim në total, ka nisur faza përfundimtare e gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar gjithsej 180 vjet burgim për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, në nisje të fjalës përfundimtare në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West, ka sqaruar se prokuroria kërkon nga 45 vjet burgim për secilin prej katër të akuzuarve, për krime tw pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ajo theksoi se përgjegjësia penale është individuale dhe nuk lidhet me strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Mbështetur në kontributet individuale të krimeve të bëra ose të kryera nga secili prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto krime janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe janë të rënda në natyrë dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës, vazhdojnë të mbetën ende shumë të rënda”, tha Kryeprokurorja Kimberly West.
Në parashtrimet e saj, kryeprokurorja, derisa përmendi numrin e viktimave, pretendoi se qëllimi i grupit ka qenë kontrolli duke eliminuar persona të lidhur me LDK-në, si dhe pjesëtarë të komuniteteve rome dhe serbe.
“Mbi 100 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë abuzuar në dhe përreth 50+ kampe ndalimi të UÇK-së. Kjo çështje ka të bëjë me qëllimin e këtyre katër të akuzuarve për të ushtruar kontroll në të gjithë Kosovën”, tha ajo.
West hodhi poshtë edhe dëshmitë e shtatë personaliteteve ndërkombëtare që kishin dëshmuar në mbrojtje të Hashim Thaçit, duke argumentuar se ata nuk ishin të njohur me strukturën dhe funksionimin e UÇK-së.
“Shtatë dëshmitarët ndërkombëtarë janë hedhur në një situatë me pak informacion lidhur me aktorët kryesor të përfshirë, nuk e kanë folur gjuhën në atë kohë, kanë ndërvepruar ballë për ballë me aktorët kryesor vetëm për pak herë dhe thuajse nuk kanë parë asnjëherë rregulloren, urdhrat dhe komunikatat e UÇK-së dhe nuk ishin aspak të njohur me strukturën e UÇK-së”, tha ajo.
Fjala përfundimtare që nisi të hënën do të mbyllet më 18 shkurt. Fjala e ekipeve të mbrojtjes do të fillojë nga e mërkura.
Thaçi dhe të tjerët po mbahen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, ndërsa procesi gjyqësor nisi në prill të vitit 2023. (A2 Televizion)