
Një tërmet me magnitudë 4.8 sipas shkallës Rihter ka goditur Kosovën mbrëmjen e së martës, në orën 22:09.
Sipas të dhënave të Rrjetit Sizmologjik, Shërbimit Gjeologjik të Kosovës dhe Qendrës Sizmike Euro-Mediterane, epiqendra e tërmetit ishte në zonën juglindore të Kosovës, rreth 23 kilometra në lindje të Prizrenit, me koordinata gjeografike 42.144; 20.985.
Thellësia hipoqendrore e tërmetit ishte rreth 5 kilometra, ndërsa intensiteti i tij u vlerësua me shkallën VI të Merkalit.
Tërmeti është ndier dukshëm në disa qytete të Kosovës, përfshirë edhe Prishtinën. Sipas vlerësimeve fillestare, për shkak të forcës së tij, ky sizmicitet kishte potencial të shkaktonte dëme materiale dhe të rrezikonte qytetarët, megjithëse deri më tani nuk ka raportime për pasoja serioze.
Sipas Shemsi Mustafa, drejtues i Rrjetit Sizmologjik, këto lëkundje konfirmojnë se zona e Prizrenit është zonë sizmogjene aktive, fakt i evidentuar edhe në Hartën e Rrezikut Sizmik për Kosovën, bazuar në studimet dhe llogaritjet përkatëse. (A2 Televizion)