Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj ministres së Industrisë dhe ish-zëvendëssekretarit

Nga Ideal Gola
11 Nëntor 2025, 19:53 | Kronikë

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj ministres së Industrisë

Prokuroria Speciale konfirmoi se ka ngritur aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe tre personave të tjerë në rastin e njohur si rezervat shtetërore. Hajdari dhe të tjerët dyshohet se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit rreth 3 milionë euro.

Aktakuzë është ngritur edhe ndaj Irfan Lipovicës, ish-zëvendëssekretar në ministrinë e Hajdarit dhe drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hagiz Gara dhe biznesmenit Ridvan Nuharremi. 

Ministrja Hajdari dhe Lipovica e Gara ngarkohen me vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa ndaj Muharremit nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”. Për të njëjtin rast kryeministri në detyrë Albin Kurti ishte ftuar të jepte dëshminë por kishte refuzuar të shkonte në objektin e prokurorisë duke i ftuar prokurorët në Kryeministri si e vetmja mundësi qe ai të jepte informacionin që kërkonte Prokuroria.

AKTAKUZË PËR VEPRËN PENALE “KEQPËRDORIMI I POZITËS APO AUTORITETIT  ZYRTAR”

Prishtinë, 11 Nëntor 2025 -  Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj R.H., I.L. dhe H.G nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa ndaj R.M., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Të pandehurit R.H., I.L. dhe H.G., akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, Në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimi të dëmit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës.

Si rezultat i veprimeve të të pandehurve, i është shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 2,912,134.78 euro.

Të pandehurit R.H., I.L dhe H.G. akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare. Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M.

Ndërkaq, i pandehuri R.M. akuzohet se u ka krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos