
Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se Millan Vukashinoviq, serbi me shtetësi kosovare që dyshohet se u plagos dhe u rrëmbye brenda territorit të Kosovës nga xhamdamëria serbe, është në gjendje të rëndë.
“Përfaqësuesi ynë në Beograd, ambasadori Jashari, ka tentuar ta vizitojë disa herë të plagosurin, mirëpo nuk është lejuar nga ana e spitalit. Informatat që kemi janë se ai është në gjendje të rëndë shëndetësore. Institucionet tona janë në komunikim edhe me familjarët e të plagosurit, qytetarit tonë, dhe po ashtu me gjithë dëshmitarët që e kanë parë ngjarjen dhe çfarë ka ndodhur”, tha Osmani pas një forumi diskutimi të organizuar nga EULEX.
Osmani tha se është në kontakt të vazhdueshëm me shtetet e QUINT-it ndërsa shtoi se ngjarja ka ndodhur brenda territorit të Kosovës.
“Përtej çështjes se ku ka ndodhur, pavarësisht se ku të ketë ndodhur kjo, prapëseprapë është krim dhe provokim i rëndë, dhe është tentim vrasjeje i institucioneve shtetërore të Serbisë ndaj një qytetari të Republikës së Kosovës. Pra, nëse edhe kjo të kishte ndodhur brenda territorit të Serbisë, gjë që nuk është e vërtetë, por edhe sikur të kishte ndodhur, përsëri është provokim i rëndë në kundërshtim me synimet për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajonin tonë, gjë që Serbia vazhdimisht e rrezikon”, tha Osmani. (A2 Televizion)
