Një aksident i rëndë hekurudhor ka ndodhur mesditën e së dielës në fshatin Jagodë të komunës së Klinës, ku një tren është përplasur me një automjet.
Si pasojë e përplasjes, një person ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa tre të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë dhe janë dërguar menjëherë për trajtim mjekësor në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë.
Policia e Kosovës ka konfirmuar incidentin përmes një deklarate zyrtare:
“Sot, rreth orës 12:35, kemi pranuar informacionin se në fshatin Jagodë – Klinë ka ndodhur një aksident ku një tren ka goditur një makinë. Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e një personi në vend, ndërsa tre të tjerë janë dërguar për trajtim të mëtejshëm mjekësor,” thuhet në njoftim.
Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë menjëherë njësitet policore, zjarrfikësit dhe autoambulanca.
Rrethanat e aksidentit janë ende në hetim, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende informacion mbi identitetin e viktimës apo të të lënduarve. (A2 Televizion)