Ushtarët serbë dhe lufta hibride, përpjekjet për tensione, sa e sigurt është Kosova?

Nga Ideal Gola
9 Prill 2025, 20:49 | Kronikë

Sulmi me granata dore dhe arrestimi e shoqërimi i disa serbëve, mes të cilëve pjesëtarë të të policisë e ushtrisë, në harkun kohor prej një jave sollën sërish shqetësime për sigurinë në Kosovë.

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë, në të cilën u kërkua që të gjitha institucionet dhe mekanizmat e shtetit ta mbajnë lart vëmendjen dhe gatishmërinë, tregoi për seriozitetin e situatës.

“Janë një sërë faktorësh të njohura, si nga praktika e brendshme kombëtare ashtu edhe ndërkombëtare që ky lloj i luftës hibride mund të materializohet përmes vizitave të pelegrinazheve, vizitave nëpër kultet fetare e të ngjashme”, tha Valdet Hoxha, ish-zv/ministër i Brendshëm.

Skenarët ku Serbia shfrytëzon serbët e Kosovës për të tërhequr vëmendjen nga zhvillimet e brendshme, siç është presioni në rritje ndaj presidentit Aleksandër Vuçiç, nuk është diçka e re.

Edhe shfrytëzimi i vendeve fetare nga shërbimet sekrete serbe është shfrytëzuar historikisht për të nxitur urrejtje ndër etnike në Kosovë për çfarë kërkohet vëmendje maksimale e institucioneve.

“Është temë shumë e ndjeshme dhe Republika e Kosovës duhet të ndërmerr hapa operacionalë, hapat ligjorë dhe kushtetues duke filluar që nga verifikimi i tyre në hyrjen në Kosovë nëse eventualisht ka nevojë të përcillen në rrugë operative”, tha Hoxha.

Vëmendja e shtuar në kufirin me Serbinë shihet edhe si kyç për të ruajtur sigurinë. Por këtu kërkohet bashkëpunim i ngushtë edhe me faktorin ndërkombëtar.

“Ne duhet ta kemi parasysh se Serbia është e interesuar që ta mbaj situatën në Kosovë të tensionuar. Derisa kemi kontroll rigoroz të kufirit mendoj se risku për me pas eskalim të përgjithshëm të konfliktit është jashtëzakonisht i vogël, por mbetet të shihet se sa do të jetë vigjilent KFOR-i dhe NATO në këtë drejtim”, tha Mentor Vrajolli, QKSS.

Nga 16 serbët e arrestuar të paraqitur si pelegrinë, 12 prej tyre janë liruar, ndërsa 4 janë në paraburgim prej një muaji.

Lirimi i një grupi ngjalli reagime të zyrtarëve të lartë shtetërorë që akuzuan prokurorinë e gjykatën se po hedhin poshtë punën e institucioneve të sigurisë dhe se ndaj të dyshuarve ka pasur prova të bollshme për paraburgim.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos