Kurti flet me Macron për Serbinë e sigurinë, Vuçiç në alarm: Kërkoi largimin e KFOR nga veriu i Kosovës

Nga Rosalba Bejdo
27 Mars 2026, 22:06 | Kosova

Mes përshkallëzimit të tensioneve me Serbinë dhe në mesin e një krize politike, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi sot një takim me presidentin francez, Emanuel Macron në Francë. Në fokus të bisedimeve, sipas zyrës së kryeministrit, ishte siguria e shtetit dhe raportet me Serbinë. Siç thuhet, gjatë takimit në Pallatin Elize, “u theksua roli pozitiv i vazhdueshëm i NATO-s në Kosovë, përkatësisht i KFOR-it, si dhe i misioneve të Bashkimit Evropian”.

Kryeministri Kurti foli për sigurinë e Kosovës që para së gjithash është siguria e kufijve të saj, pastaj për ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse, raportet me fqinjin verior Serbinë ndërlidhur me procesin e dialogut në Bruksel dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë, pastaj për bashkëveprimin me aleatët veri-atlantikë dhe për sigurinë rajonale në Ballkan”.

Gjatë takimit, po ashtu është diskutuar për integrimet dhe sigurinë në Evropë dhe Kurti kërkoi mbështetjen e Francës për integrimin evropian dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Vizita e Kurtit në Paris është ndjekur me shumë vëmendje në Serbinë fqinje.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi më herët për televizionin Prva në Beograd, se kryeministri Kurti mund t’i kërkojë liderit francez plotësimin e disa kushteve “kundër popullit serb”. Sipas tij, ai ka shkuar në Paris me “dy kërkesa”: që Serbisë t’i vendoset kusht për të mos përdorur kurrë armë kundër shqiptarëve, përkatësisht kundër Kosovës, dhe që NATO-ja të largohet nga zona tokësore e sigurisë, në mënyrë që Forca e Sigurisë së Kosovës të mund të shkojë në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.

Vuçiç pretendoi se "agjendën e Kurtit në Paris" e ka mësuar përmes “njerëzve të tij në rrethin e Kurtit”. Mes tjerash, Vuçiç tha se shpreson që NATO-ja “nuk do t’i mbështesë këto kërkesa dhe se ishte i sigurt që as Macron nuk do t’i mbështesë”.

“Ky do të ishte sulm i drejtpërdrejtë ndaj paqes, sulm i drejtpërdrejtë ndaj popullsisë sonë, ndaj gjithë Serbisë, dhe jam pothuajse i sigurt se kjo nuk do të ndodhë”, ishin fjalët e Vuçiç. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos