Një ditë pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me çështjen e presidentit, zhvillimet politike në vend pritet të hyjnë në një fazë të re.
Të enjten nuk pati konfirmime për takime mes liderëve politike ndonëse afati i dhënë nga Kushtetuesja ka filluar të rrjedhë.
Partia më e madhe opozitare, PDK mblodhi kryesinë dhe grupin parlamentar. Pas kësaj mbledhje, nuk pati shumë detaje.
U tha se është ftuar këshilli drejtues i partisë për të marr vendime se si do të sillen në raport edhe me një takim të mundshëm me përfaqësuesit e partive të tjera.
Vlora Çitaku e PDK tha: “PDK respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe besoj se për secilin që e ka njohur dhe ka ndjekur aktivitetin politik të PDK-së, respektimi i vendimeve të gjykatës për neve asnjëherë nuk është çështje diskutimi”.
Këshillin drejtues e mblodhi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ndonëse nuk ka qenë e përfshirë në takimet e para 5 marsit, nga kjo parti thanë se nuk do të takojnë kryeministrin Albin Kurti në rast se do të pranojnë ftesë.
Në AAK u shprehën skeptikë se do të ketë zgjidhje për Presidentin duke thënë se Vetëvendosje synon të çojë vendin në zgjedhje. Ata konfirmuan se nuk do të votojnë për ndonjë nga kandidatët aktualë për presidentë.
Ardian Gjini i AAK-së shprehet: “Për këta emra çka janë deri tash në tavolinë nuk kemi votë, të tjerët duhet t’i shohim, por nuk besoj që ekziston një atmosferë dhe një vullnet nga partia më e madhe që në mënyrë të sinqertë dhe serioze të provojë të përmbyllë këtë proces pa zgjedhje nacionale”
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarja Albulena Haxhiu nuk pranuan të komentojnë vendimin e Kushtetueses gjatë qëndrimit në Krushë të Madhë në shënim të 27-vjetorit të masakrës në këtë fshat.
Deri më tani, Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku janë dy kandidatët e propozuar me firmat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për postin e presidentit. (A2 Televizion)