I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, është shoqëruar mbrëmjen e sotme për në urgjencë.
A2 CNN mëson se shoqërimi i Dumanit nga paraburgimi 313 drejt urgjencës së QSUT është bërë nën masa të forta sigurie.
Nuredin Dumani, i lindur në fshatin Selitshtë të Dibrës, e nisi “karrierën” e tij në botën e errët të krimit si hajdut dhe më vonë u shndërrua në “sipërmarrës” të vrasjeve me pagesë.
Nga dëshmitë e tij pas bashkëpunimit me drejtësinë janë zbardhur të paktën 12 ngjarje kriminale, vrasje, atentate të parealizuara dhe porosi për ekzekutime nga grupe kriminale të shpërndara gjeografikisht nga Elbasani, në Fushë Krujë, Durrës, Tiranë, Shkodër e Vlorë.
Ai ka treguar përpara prokurorëve të SPAK-ut se ka marrë porosi nga Ervis Martinaj për vrasjen e Endrit Dokles kundrejt 100 mijë eurove.
Dumani po ashtu ka rrëfyer autorët e ekzekutimit të Fatmira Dedës në vitin 2014, pasi ajo kërkonte drejtësi për vrasjen e djalit të saj Elvis Deda, në vitin 2013. Ai ka treguar me detaje se porositës i këtij krimi ishte Festim Qoli, i cili i kishte ofruar atij 40 mijë euro për këtë vrasje.
Përpara hetuesve Dumani ka folur edhe për vrasjen e taksistit Bujar Çela, vëllait të armikut të tij Talo Çelës e shumë ekzekutime të tjera. (A2 Televizion)