LVV tërhiqet nga gara për Presidentin, fton PDK-në dhe LDK-në të propozojnë tre emra

Nga A2 CNN
25 Prill 2026, 09:35 | Kosova

LVV tërhiqet nga gara për Presidentin, fton PDK-në dhe

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka njoftuar se është tërhequr nga gara për postin e Presidentit të Kosovës, duke propozuar një zgjidhje të re për të shmangur një proces tjetër zgjedhor në vend.

Pas mbledhjes së Kryesisë të mbajtur mbrëmjen e kaluar, LVV bëri të ditur se ka ftuar Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës që të propozojnë së bashku tre kandidatë për president.

Në deklaratën e saj, Lëvizja Vetëvendosje thekson se ky hap vjen për të shmangur zgjedhje të panevojshme dhe për të ruajtur stabilitetin institucional në vend.

Po ashtu, LVV bëri të ditur se në rast se arrihet marrëveshja për tre kandidatët e rinj, do të tërhiqen nga kandidatura aktuale Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Deklarata e LVV-së:

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti mbrëmë mbledhjen e Kryesisë, në të cilën u diskutuan zhvillimet politike si dhe veprimet e qëndrimet e nevojshme në shërbim të interesit publik e shtetëror dhe të mirës së përgjithshme e të përbashkët.

Në situatën e krijuar rreth zgjedhjes së Presidentit dhe dëmin e madh që do t’i shkaktonte vendit një proces i panevojshëm dhe i përsëritur zgjedhor, Lëvizja VETËVENDOSJE! tashmë ka ndërmarrë një sërë hapash konkretë për të gjetur zgjidhje.

Pavarësisht propozimeve tona të shumta dhe gjeneroze, përgjigjja që kemi marrë ka qenë vetëm refuzimi.

Në këto rrethana, për të shmangur një proces tjetër zgjedhor që nuk zgjidh gjë, dhe për të ruajtur stabilitetin institucional, Lëvizja VETËVENDOSJE! ndërmerr edhe një hap tjetër me një propozim të ri, konkret dhe përbashkues.

Ftojmë PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e 10-të.

Këta tre kandidatë duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike.

Për këta të tre do të siguroheshin së paku 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me atë rast, paraprakisht do të tërhiqeshin nga kandidatura Zëvendës-kryeministri dhe Ministri i punëve të jashtme dhe diasporës Glauk Konjufca e deputetja Dr. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Koha është e kufizuar. Për shkak të afateve kushtetuese, presim përgjigje nga subjektet opozitare deri të dielën në mbrëmje.

Një zgjidhje duhet të gjendet, sepse ajo është e mundshme. Duhet të përpiqemi dhe angazhohemi së bashku, sepse është detyrë e jona që buron nga përgjegjësia që na e kanë bartur qytetarët e Republikës së Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos