
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka zbuluar ofertat për LDK-në dhe PDK-në me qëllim zgjidhjen e ngërçit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, të cilat janë refuzuar nga dy partitë kryesore të opozitës.
Mes propozimeve ka qenë edhe oferta për bashkëqeverisje me LDK-në, ku përfshihej posti i zv.kryeministrit dhe 4 ministri, raporton A2CNN.
“Kam bërë ofertë për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Kjo ofertë përfshinte: postin e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri. U refuzua. Kam propozuar edhe një alternativë tjetër: ndërrimin e pozitave mes kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit, LDK të merrte pozitën e kryetarit të Kuvendit, Kryetarja aktuale të bëhej nënkryetare. Me këtë rast LVV nuk do t’i kishte tre pozitat e larta shtetërore siç ankoheshin deri më tani. U refuzua edhe kjo. Kam bërë një ofertë konkrete edhe ndaj Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për të zhbllokuar situatën politike", shkruan Kurti në rrjetet sociale.
Në këtë ofertë propozova një rrokadë mes Kryetares aktuale Haxhiu dhe përfaqësuesve të PDK-së, ku PDK mund të marrë pozitën e Kryetarit të Kuvendit. Pra, Kryetarja Albulena Haxhiu të bëhej nënkryetare e Kuvendit, ndërsa Bedri Hamza ose Vlora Çitaku të merrnin drejtimin e Kuvendit. Ky do të ishte një koncesion i madh që e bëjmë ne që Albulena Haxhiu t’ia lirojë vendin Bedri Hamzës a Vlora Çitakut”, vijon ai.
Kryeministri thekson në mesazhin e tij se krerët e PDK dhe LDK “po sillen edhe më keq se Fatmir Limaj në vitin e kaluar”. “Realisht, ata nuk janë duke dashur as pushtet dhe as përgjegjësi për veten e tyre. Krejt çfarë duan është që ne dhe unë të mos kemi pushtet. Por, këtë gjë nuk e vendosin ata”, shkruan Kurti në mesazhin e tij në “Facebook”.
Kurti po ashtu ka thënë se opozita nuk ka propozuar ndonjë emër as publikisht e as në takime me të.
(A2 Televizion)