Mimoza Gavrani, eksperte e politikave vendore në Kosovë, e ftuar në emisionin Terminal të gazetares Aurora Sulce në A2 CNN, foli për situatën politike në Kosovë.
Gavrani u pyet për vendimin e Kurti që të mos e kandidonte përsëri Osmanin për presidente, dhe ajo tha se ka disa arsye, qofshin ato personale, qofshin ato politike:
"Edhe pse Lëvizja Vetëvendosje ishte partia fituese dhe kishte mundësinë ligjore dhe kushtetuese për të propozuar Osmanin për një mandat të dytë, kjo nuk ndodhi. Marrëveshjet deri në minutën e fundit parashikonin që ajo të ishte kandidatja e duhur. Në momentet e fundit, për të mos krijuar keqkuptime para opinionit, u propozuan edhe dy emra të tjerë të respektuar të partisë, si Glauk Konjufca dhe një tjetër zonjë, të cilët gjithashtu konsiderohen figura të respektuara në Vetëvendosje."
Kur u pyet se cilin kandidat sheh si më të përshtatshëm për president të Kosovës, Gavrani u shpreh:
"Sa i përket përmbushjes së detyrave brenda vendit dhe përfaqësimit në arenën ndërkombëtare, Vjosa Osmani ka qenë një figurë e shkëlqyer. Ajo ka kontribuar shumë në diplomaci dhe ka ndihmuar në rritjen e njohjes së Kosovës në botë."
Gjenerali Ded Prenga, theksoi se vendimet politike shpesh nuk merren në mënyrë transparente dhe se shumë nga proceset e rëndësishme zhvillohen në prapaskenë, larg vëmendjes së qytetarëve dhe mediave. Ai shtoi se puna e Osmanit në arenën ndërkombëtare, ka qenë kolosale dhe ka rritur vlerat e Kosovës globalisht.
"Politika është një fushë e vështirë, e paparashikueshme dhe shpesh befasuese. Shumica e vendimeve nuk merren publikisht, por në prapaskenë. Për fat të keq, shumë herë interesat individuale dhe egoizmi personal ndikojnë më shumë se interesi i qytetarëve. Në këto kushte, puna e Osmanit në arenën ndërkombëtare, përfshirë diplomacinë dhe njohjet e shtetit, ka qenë kolosale dhe ka rritur vlerat e Kosovës globalisht." (A2 Televizion)