Vetëm katër muaj pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, shtetasit e Kosovës do të duhet t’i drejtohen sërish kutive të votimit.
Mungesa e kompromisit politik për zgjedhjen e presidentit bëri që Parlamenti të shpërndahet.
Qytetarët në Prishtinë kishin mendime të ndryshme për sjelljen e partive politike dhe çuarjen e vendit në zgjedhje.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, të mërkurën takoi kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, shkruan A2. Me të diskutoi për datën e zgjedhejeve, ku Haxhiu duhet të zgjedh mes dy opsioneve, 31 maj dhe 7 qershor. KQZ shprehur preferencën për datën 7 qershor.
“Sa i përket datës, kemi kërkuar që sa më shumë kohë të kemi, për shkak se na nevojitet përgatitje, nuk është proces i lehtë dhe më pas i mbetet presidentes”, tha Radoniqi.
Shkuarja e vendit në zgjedhje prodhoi pasoja të reja institucionale. Qeveria konsiderohet në dorëheqje dhe veprimtaria e saj kufizohet vetëm në punë të domosdoshme dhe të planifikuara në buxhetin e këtij viti dhe në bazë të planit vjetor të punës.
Qeveria nuk mund të propozojë më projektligje të reja, strategji apo dokumente të tjera politike, nuk mund të iniciojë emërime në pozita publike dhe nuk mund të ndërmarrë marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim nga Kuvendi.
Në Parlament kanë qenë rreth 30 projektligje në shqyrtim. Me shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë, puna për to përfundon, meqë i gjithë procesi legjislativ duhet të rikthehet në pikën zero me konstituimin e Kuvendit të ri dhe formimin e Qeverisë së re. (A2 Televizion)