Pedagogia Arsejda Gjyli deklaroi se Albin Kurti e shmangu Vjosa Osmanin jo si Presidente të ardhshme, por “si një individ i cili në plan politik po fuqizohej shumë në syrin e ndërkombëtarëve”.
Në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, Gjyli u shpreh: “Unë e shikoj shumë të rëndësishëm rolin e moslejimit të zonjës Osmani për të qenë një kandidate për President në Kosovë. Do ta paralelizoja me një shembull të historisë, që është ai i Helenës së Trojës, por në këtë rast në plan politik, që do të thotë se moslejimi i saj si ofertë politike, roli i saj shumë i rëndësishëm në Kosovë, jo vetëm në plan të politikës së brendshme, por politikës së jashtme dhe impaktit ndërkombëtar që zonja Osmani ka patur kohët e fundit, mund të ketë lindur në mënyrë direkte apo indirekte një tension të fshehur me zotin Kurti. Në këtë pikë ajo është bërë në një farë mënyre një lloj “kërcënimi” qoftë edhe vetë brenda Vetëvendosjes dhe në këtë pikë është përpjekur në plan politik duke ndërtuar në vetvete një simbolikë, por edhe një ngërç shumë të thellë nga zoti Kurti për ta shmangur zonjën Osmani jo si Presidente e ardhshme, jo si alternativë politike e cila e them me bindje do të ishte përbashkuese dhe me opozitën, por si një individ i cili në plan politik po fuqizohej shumë në syrin e ndërkombëtarëve. Kujtojmë edhe momentin e Bordit të Paqes me Trumpin dhe ky momenti është shumë thelbësor për të analizuar këtë situatë”.
“Nuk po flas për krizën konstitucionale, nuk po flas për krizën në tërësi që e ka kapluar Kosovën dhe duhet ta them me bindje dhe me forcë që politika në Kosovë nuk është politikë e cila bëhet vetëm me plan ligjor, konstitucional dhe institucional, por bëhet me parime morale të mbështetura mbi nocionin e kombësisë. Sepse historia e Kosovës nuk është e njëjtë me historinë e Shqipërisë, qoftë në plan politik, qoftë në plan historik. Flasim për Kosovën si një shtet i cili ka luftuar në mënyrë të vazhdueshme për identitet. Dhe kur flasim për luftë për identitet, politika shkon përtej çështjeve institucionale dhe ligjore. Politika shkon tek morali që lidhet me ndjenjën e fortë të kombësisë”, shtoi Gjyli.
(A2 Televizion)