Anëtari i Kryesisë së Vetëvendosjes, Elvis Hoxha, deklaroi se krizat politike në Kosovë vijnë për shkak se partitë LDK, PDK, AAK janë ambientuar me pazar.
I ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, Hoxha u shpreh: “Ne hasim sot një gjendje të partive politike të cilat kanë jetuar gjatë në Kosovë dhe që e kanë kompensuar mungesën e Kushtetutës me pazare. Do të thotë, kur është zgjedhur një President, për shembull Thaçi, ka pasur pazare të tilla mes LDK-së dhe PDK-së duke dhënë deri në shpërblime, vende si ambasador, terminale, për të prodhuar numrin e votave të nevojshëm. Kjo është një përmbushje. E dyta, ka ardhur si ndërhyrje e Gjykatës Kushtetuese që i ka dhënë një drejtim të çështjes. Por, nëqoftëse ne ndërhyjmë në përmbushjet e kushtetutës në forma të tilla, kjo do të thotë që pikëpamja politike nuk është e mirë. Dhe pikëpamja politike sa kohë që ishin partitë, që unë i quaj të regjimit, LDK, PDK, AAK, kompromisi reduktohej në pazar. Kompromisi politik s'ishte më kompromis politik, por ishte në fakt kompromis ekstrapolitik, pazar, dhe u ambientuan këto parti politike me pazar”.
“Kështu që, kur bëhet ftesa, Vetëvendosja që fiton 51%, që është rast unikal, sa opozita e këtij regjimi e quante të pamundshme këtë, është jashtë çdo matematike thonte. Po cilës matematike? Matematikës së pazareve, jo matematikës së temës, të tezave politike. Tezat politike mund të bëjnë që një popull të votojë 51%. Kur është pazar, pushteti copëzohet sipas klaneve, krahinave, fiseve. Ata janë mësuar me këtë gjendje, kështu që kur ata ftonin për kompromis, nuk kuptohej nëse e kanë fjalën për pazar apo e kanë fjalën për kompromis të vërtetë politik në lidhje me bërjen e institucioneve”, shtoi anëtari i Kryesisë së VV. (A2 Televizion)