Siç ndodhi me liberalizimin e vizave, po përsëritet edhe me rastin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës. Emisari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se për të përmbyllur këtë proces ka edhe dy kushte të tjera, përveç atij të përmbushur, dhënien e tokës për manastirin e Deçanit.
“Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Europës dhe që po i kërkojnë disa vende europiane. Njëri ka të bëjë me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”, tha Escobar për Radion Evropa e Lirë. Zyrtari i Departamentit të Shtetit bëri të ditur se Amerika po heton për lidhjet e shtetit serb me Sulmin në Banjskë.
Escobar konfirmon sërish se ka shumë zhgënjim me qeverinë Kurti në Uashington, teksa zbulon se kryeministri refuzoi propozimet e tij për dinarin serb. Ndërkohë, sekretari amerikan I shtetit, Antony Blinken, ka folur nga Austria lidhur me tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar më shumë koordinim për të shmangur kthimin në konfliktet e viteve 90. (A2 Televizion)