I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pranoi se marrëdhëniet me kryeministrin Albin Kurti kanë disa sfida për shkak të trajtimit të pakicës serbe.
Megjithatë takimin me të prej dy orësh e quajti si diskutim të mirë dhe tha se Kurti i kishte premtuar se do t’i shqyrtonte disa prej propozimeve të tij për zgjidhur çështjen e dinarit.
“Sot patëm një diskutim shumë të mirë, shumë të hapur me kryeministrin. SHBA mbetet partneri më i qëndrueshëm dhe më i përkushtuar i Kosovës. Por, unë duhet të pranoj se marrëdhënia ka disa sfida tani, dhe sinqerisht, këto sfida janë për shkak të trajtimit të pakicës serbe. Vendimi i Bankës Qendrore ka shkaktuar një vështirësi reale për disa nga qytetarët e këtij vendi dhe ne jemi shumë të shqetësuar”, tha Gabriel Escobar.
Escobar përsëriti se dinari është një çështje humanitare emergjente ndërsa mohoi se ka një qasje të pabalancuar në dialog.
“Gjithçka që kemi bërë në vitin e fundit ka qenë në favor të Kosovës, kështu që menjëherë pas Ohrit kemi mbështetur kandidaturën tuaj për Këshillin e Evropës, kemi mbështetur proceset tuaja demokratike, përfshirë zgjedhjet në veri, ju qëndruam pranë pas sulmeve të 24 shtatorit dhe ne morëm një vendim për të ndihmuar në sigurimin e Javelin-ëve”, vijoi Escobar.
Escobar përgëzoi Kurtin për vendimin për t’i dhënë 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit. (A2 Televizion)