Kuvendi i Kosovës tashmë numëron 50 përpjekje të dështuara për të kontituuar veten pasi ende nuk ka vota për të zgjedhur kryeparlamentarin. Seanca u ndërpre pasi komisioni që duhet të ngrihet për të mbikëqyrur votimin e fshehtë nuk kaloi, shkruan A2 CNN. Partitë që deri dje ishin në opozitë vijuan të qëndrojnë në sallën plenare për të shprehur pakënaqësinë me situatën duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe liderin e tyre Albin Kurti.
“Për të [v.j. Albin Kurti] kjo kohë është pjesë e një plani. Për përmbysjen e rendit kushtetues, për delegjitimimin e demokracisë dhe institucioneve dhe për zhbërjen e ADN-së së shoqërisë sonë”, tha Vlora Çitaku nga PDK. “Kryesuesi [v.j. Avni Dehari] le ta kthejë seancën në rendin e rregullt të ditës dhe kandidatja [v.j. Albulena Haxhiu] le të tërhiqet nga kandidatura. Vetëm atëherë mund të ketë hapësirë për reflektim dhe ndoshta edhe ndryshim të qëndrimeve nga deputetë të tjerë”, tha Fadil Hadergjonaj nga LDK.
“Po më duket se po i pëlqen karrigia e kryeparlamentarit dhe ndoshta LVV-ja do të ishte mirë me lënë krejt si kryeparlamentar. Abuzim i skajshëm, këta po mendojnë se janë mbi shtetin dhe mbi ligjin e Kushtetutën e Kosovës”, tha Time Kadriaj.
Këtë javë përfundon edhe afati 30 ditor i përcaktuar nga Kushtetuesja për të konstituuar Kuvendin, ndërsa janë shpeshtuar përpëjkjet për një marrëveshje me Vetëvendosjes dhe Nismës.
Kryetari i Listës Guxo, Faton Peci ftoi Fatmir Limajn që të mendojë për shtet pasi edhe do të shpërblehet nga qytetarët. “Sa më të vogla janë partitë politike që shprehin gatishmëri për të dhënë kontributin dhe pjesëmarrjen në institucione, zakonisht është reflektimi dhe shpërblimi qytetar që ka ardhur përmes votës”, tha ai.
Pas dështimit të së hënës, pati edhe protestë e aksione simbolike në hyrje të Kuvendit. Avokati Arianit Koci qethi kokën, ndërsa një tjetër qytetar akuzoi Kurtin se ka gënjyer edhe për bashkim kombëtar. (A2 Televizion)