Akuza të forta Gjykatës Speciale dhe Serbisë, Rubin: SHBA e donte Thaçin lider, nuk ka prova se vrau njerëz

Nga Xhevahir Qardaku
17 Shtator 2025, 15:19 | Politikë

Ashtu siç e hapi dëshminë e tij dhe e përmbylli. Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, mbrojti furishëm luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për liri në Gjykatën Speciale në Hagë.

Për tri ditë ai dha dëshmi në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, në rastin gjyqësor ndaj këtij të fundit, dhe ish anëtarëve të UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup krasniqi dhe Rexhep Selimi, që akuzohen për krime të pretenduara lufte.

“Ne nuk kemi gjetur asnjë të dhënë, asnjë provë, asnjë informacion që lidhte pretendime të tilla për ekzekutime të tilla dhe vrasje me udhëheqës të tillë, as me zotin Krasniqi as me zotin Thaçi”, tha James Rubin, ish-zyrtar i lartë i SHBA.

Rubin, kujtoi ditët e marrëveshjes së Rambujesë, komunikimet me Hashim Thaçin, dhe theksoi se ishte perceptim i tij që Thaçin do ta quanin tradhtar nëse në dokument nuk do të përmendej pavarësia e Kosovës. Në lidhje me komunikatat e UÇK-së, Rubin konfirmoi se ka lexuar shumë prej tyre, por tha se i dukeshin si përpjekje për ta bërë UÇK-në më të rëndësishme sesa ishte. Ish zyrtari sqaroi dhe një detaj tjetër kur bëri me dije se Shtetet e Bashkuara dëshironin që Hashim Thaçi të shndërrohej në një lider të një kombi që do të ishte i lirë.

“Ne donim që ai të kthehej një udhëheqës i një kombi, që me shpresë do të ishte i lirë. Po ju korrigjoj, ajo tha një drejtues të një grupi. Një drejtues i një delegacioni që ishte zgjedhur nga delegacioni shqiptar. Ai ishte një prej, kishte një pozicion udhëheqës. Edhe nëse ka thënë udhëheqës i delegacionit, kjo është e saktë”, u shpreh Rubin.

 Përgjatë ditëve të dëshmisë maratonë, Rubin pati kritika të forta për Gjykatën Speciale dhe trajtimin që u është bërë ish krerëve të UÇK-së, duke e konsideruar politik mbajtjen e tyre në paraburgim për 5 vite.

“Unë mendoj që kjo ka qenë e gabuar. Kjo nuk është drejtësi. Unë nuk jam jurist me profesion, por megjithatë kam të drejtën që ta them zëshëm mendimin tim.”

Rubin konfirmoi se pretendimet e Dick Marty, mbi të cilat u ngrit Gjykata dhe Prokuroria Speciale e Kosovës, nuk përfunduan asgjëkundi. Ish-zyrtari amerikan tregoi edhe njëherë pse SHBA-të ishin në anën e engjëjve, pra të shqiptarëve të Kosovës.

“Na shqetësonin shumë raportet që merrnim: familje që digjeshin, që vriteshin thjesht sepse ishin shqiptarë të Kosovës. Kjo filloi të ngjasonte me krizën e Bosnjës, ku njerëz u masakruan vetëm për shkak të etnisë”.

James Rubin gjatë gjithë dëshmisë së tij bëri të qartë se kishte kuptuar që Hashim Thaçi nuk ishte një udhëheqës kryesor në UÇK.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos