"Turp, Kosova s'ka çuar as ambasadorin në Hagë"- Politologu ‘skanon’ gjyqin e Thaçit: Kurti po përfiton, do të marrë elektoratin e UÇK

Nga A2 CNN
16 Shtator 2025, 22:36 | Politikë

Politologu Endri Tafani është shprehur se Kosova nuk ka çuar as ambasadorin e vetë në Hagë, për të ndjekur seancat gjyqësore ndaj Hashim Thaçit dhe eksponentëve të tjerë të UÇK-së që po gjykohen atje për krime lufte.

Komentet Tafani i bëri teksa ishte i ftuar në emisionin ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, ku tha se kjo neglizhencë po bëhet me qëllim nga Albin Kurti, pasi sipas tij, Lëvizja VetëVendosje ka synuar gjithmonë elektoratin e partive të dala nga UÇK.

Ai shtoi gjithashtu se ditën e sotme në Hagë, kur panë për herë të parë Ambasadorin e Kosovës, u çuditën, pasi sipas Tafanit, ai nuk ishte paraqitur asnjëherë gjatë këtyre 2 viteve.

“Sot edhe dje që ishte dëshmia e Xhejms Rubin, ka qenë një përfaqësues i Ambasadës Amerikane në Prishtinë prezent në sallën e gjyqit. Kosova nuk ka çuar as ambasadorin e vetë atje. Sot kur kishin parë për herë të parë ambasadorin, i kishin thënë ‘nuk të kemi parë asnjëherë’ dhe ai i ishte përgjigjur ‘i kam ndjekur seancat online’.

Ka 2 vite që mbahen seancat dhe ai nuk i ka ndjekur, gjë që tregon një neglizhencë skandaloze. Kjo është e qëllimshme dhe është mënyra sesi Vetëvendosje që është parti qeverisëse e ka pozicionuar veten. Vetëvendosje synonte atë që është elektorati i UÇK-së. Sepse elektorati i LDK-së ka qenë për rezistecë paqësore.

Kurse Vetëvendosje ka qenë ajo pjesë që kërkonte bashkimin me Shqipërinë. Kështu target grupi i votuesve të saj duhet të ishin ata të UÇK-së. Pastaj ata ishin edhe më ekstremistë sesa ato që UÇK bëri. Ata nuk mund ta merrnin këtë grup votuesish nëse nuk do goditej UÇK. Dhe UÇK mund të goditej vetëm duke goditur korrupsionin në Kosovë”, tha mes të tjerash politologu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos