
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Albulena Haxhiu ka pranuar amendamentet kushtetuese nga presidentja Vjosa Osmani, për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli. Në një postim në rrjetet sociale ajo bën thirrje për votimin e këtyre amendamenteve dhe thekson se zgjedhja e presidentit nga populli eliminon ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve.
“Sapo i pranova amendamentet kushtetuese nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, të cilat parashohin që Presidenti/Presidentja të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Në këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre.
I bashkohem thirrjes së Presidentes për votimin e këtyre amendamenteve”.
Presidentja Vjosa Osmani i ka propozuar Kuvendit amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit nga Populli. Në një postim në rrjetet sociale, Osmani bën të ditur se ky vendim erdhi pas dështimeve të njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se do të bëjë përpjekje edhe pasdite për ta finalizuar procesin por ende nuk dihet nëse do të ketë seancë apo në cilën orë mund të mbahet ajo.
(A2 Televizion)