Bashkimi Europian nuk ka ende asnjë vendim për heqjen e masave që rëndojnë ndaj Kosovës. Zëdhënësi Peter Stano, në një konferencë për media, sqaroi se kjo çështje po diskutohet akoma në Bruksel dhe se vendet anëtare të BE-së do të marrim një verdikt qoftë me zyrtarët aktualë apo me ata të ardhshëm të institucioneve europiane. Më tej u pyet dhe për paralajmërimin publik të kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviç, se shteti i tij mund të braktisë dialogun e BE-së.
“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja filloi bazuar në nevojën dhe vullnetin e të dyja palëve për të gjetur një marrëveshje me ndihmën e Bashkimit Europian. Kjo është diçka që europianët nuk ua kanë imponuar palëve është diçka që ata e kërkuan. Kjo u pranua më pas si nga BE-ja në nivelin më të lartë ashtu edhe nga rezoluta e OKB-së. Pra, ne do ta lehtësojmë dialogun për aq kohë sa palët do të jenë atje dhe palët do të jenë në dialog për aq kohë sa janë të interesuara për procesin e anëtarësimit të tyre në BE sepse që nga viti i kaluar kur u arrit marrëveshja në Ohër, palët kanë pranuar se përparimi në dialog është i lidhur me përparimin e tyre në procesin e anëtarësimit. Pra, nëse nuk ka dialog, nuk ka proces anëtarësimi”, tha Peter Stano, zëdhënës i BE-së.
Gjatë konferencës për shtyp, një gazetare e medias serbe, Tanjug, provokon me pyetjen e saj duke përdorur termin “Kosovë dhe Metohi”, ndërsa nuk korrigjohet nga zyrtarët e BE-së. Por Stano përgjigjet në pyetjen e saj lidhur me arrestimin e një drejtori të një shkolle që funksiononte në mënyrë të paligjshme në Kosovë me sistemin serb.
“Mund të përsëris se Bashkimi Europian ka qenë shumë i qartë për statusin dhe tranzicionin e disa shërbimeve themelore, publike dhe sociale nga Serbia, veçanërisht shëndetësia dhe sistemi arsimor. Këto çështje duhet të adresohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe paralelisht me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, që është një detyrim ligjor për autoritetet në Kosovë”, deklaroi Stano.
Më tej, arrestimin e konsideron një vendim me ndikim negativ në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës. (A2 Televizion)