Kuti postare në 22 shtete, Serbia e ndalon votimin e diasporës

Nga A2 CNN
14 Nëntor 2024, 18:11 | Politikë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, miratoi propozimin për hapjen e kutive postare në 22 shtete, për procesin e votimit jashtë Kosovës.

Qëllimi është t’u ofrohet mundësia e votimit shtetasve që e kanë zgjedhur këtë mënyrë, duke dërguar fletëvotimin në kutinë postare jashtë Kosovës. Sa i përket sigurisë së fletëvotimeve, nënkryetari i KQZ, Sami Kurteshi deklaroi se kjo mënyrë votimi, e zbatuar në disa vende perëndimore ka dhënë garanci të plotë.

Sa i përket votuesve brenda territorit të Serbisë, kjo nuk mund të realizohet, pasi Posta e Serbisë nuk e lejon një gjë të tillë. Sami Hamiti anëtar i KQZ-së, tha se “votimi me postë i qytetarëve atje, mund të realizohet përmes vendeve fqinje si Austria apo Hungaria”.

Sipas ligjit për zgjedhjet, gjatë periudhës së aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, votuesit mund të votojnë duke u përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit: 1. Të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës; 2. duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ në Kosovë; 3. duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos