“Asociacioni, jo kusht për KiE”, Kurti i zhgënjyer nga aleatët: Kërkesat e tyre, absurde

Nga Xhevahir Qardaku
8 Maj 2024, 20:08 | Politikë

Bllokimin nga Serbia e priste, por jo nga aleatët. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shpreh zhgënjim të madh ndaj Francës dhe Gjermanisë, për kushtëzimin e pranimit në Këshillin e Europës me bërjen e hapit të parë për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Drafstatuti i emisarit Lajçak dhe emisarëve të tjerë dështoi të zyrtarizohej pasi u refuzua. Si i tillë është një jodokument, është non paper. Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë dokumente të cilat nuk i ka pranuar, e nuk janë zyrtare në Gjykatë Kushtetuese. Kjo kërkesë ka qenë dhe mbetet absurd”, tha Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Kryeministri Kurti sqaroi edhe njëherë pse ka dështuar ky draft-statut, duke thënë se oferta e tij për ta bërë atë pjesë të paketës së marrëveshjes bazike të Brukselit dhe aneksit të zbatimit të Ohrit, duke e firmosur, është refuzuar nga Serbia, por edhe aleatët. Në konferencë për shtyp pas mbledhjes së qeverisë, ai tha se kushti i vendosur nuk ka të bëjë aspak me pranimin në Këshillin e Evropës.

“Së pari ne i kemi plotësuar të gjitha standardet dhe kriteret, kushte dhe parakushte. Kërkesa që të dërgohet draft statuti i Lajçakut dhe emisarëve është rrezuar tri herë. Në anë tjetër ekziston letra e garancisë, në të cilën siç kanë kërkuar kemi thënë që marrëveshje bazike, aneksi i zbatimit dhe pa e përjashtuar nenin 7 që është i përfshirë asociacioni vjen pas anëtarësimit. Ne nuk i mohojmë dhe do t’i zbatojmë. Po e ritheksoj që nuk ka mundësi nga pikëpamja e Qeverisë së Kosovës që të flitet për asociacion e komunave pa filluar rend me marrëveshjen bazike dhe aneksin”.

Pavarësisht se në fytyrë dukej i dorëzuar, kryeministri Kurti shfaqi një fije shprese, kur tha se nuk mund ta thotë me siguri nëse votimi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë në agjendë apo jo për punimet e 16 dhe 17 majit, pasi kësaj pyetjeje i japin përgjigje vetëm institucionet përgjegjëse. Në një opinion të publikuar ditë më parë, relatorja që përpiloi opinionin për pranimin e Kosovës, Dora Bakojanis, konfirmoi se Prishtina ka përmbushur më shumë kushte se çdo vend tjetër dhe se e meriton plotësisht anëtarësimin në organizatën për të drejtat e njeriut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos