
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka ushtruar të drejtën e votës në raundin e dytë të balotazhit për zgjedhjet lokale që po zhvillohen sot në disa komuna të Kosovës.
Pas votimit, Krasniqi i bëri thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në votime, pavarësisht se cila ka qenë zgjedhja e tyre në raundin e parë.
“I ftoj qytetarët e vendit tonë të marrin pjesë, sepse secili prej tyre duhet dhe mund të luajë një rol të rëndësishëm për t’u dhënë drejtim komunave ku jetojnë për katër vitet e ardhshme,” deklaroi ai.
Kreu i PDK-së shprehu shpresën për një pjesëmarrje të lartë dhe një proces të rregullt, duke theksuar rëndësinë që ky balotazh ka për të ardhmen e komunave dhe të gjithë vendit, shkruan A2 CNN.
“Shpresojmë që do të kemi një dalje masive dhe substanciale, e cila vërtet do të reflektojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Është një ditë e mirë për komunat dhe për Kosovën,” u shpreh Krasniqi.
Ai shtoi se si qytetar i Prishtinës, e ndjen si detyrim të marrë pjesë në votime, pavarësisht nëse kandidati i tij i preferuar është në garë apo jo.
“Edhe nëse zgjedhja ime e parë nuk është në balotazh, vota është detyrim qytetar dhe mënyra më e mirë për të shprehur mendimin e secilit për të ardhmen e komunës,” tha Krasniqi (A2 Televizion)
