Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, sërish përsëriti se mosndëshkimi i Serbisë për aktin e agresionit në Banjskë mund ta shtyjë Beogradin të ndërmarr veprime të tjera të ngjashme dhe më të rënda.
Ai këto deklarata i bëri gjatë konferencës me presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, i cili po qëndron në Prishtinë.
“Kemi diskutuar edhe për sigurinë në Kosovë dhe rreziqet që po përballemi për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë. Nëse Serbia lihet e pa ndëshkuar lidhur me agresionin terrorist në Banjskë që u krye në shtator të vitit të kaluar, Serbia ka për ta përsëritur këtë skenarë por me përmasa më të mëdha”, tha Konjufca.
Ndërsa Nussbaumer deklaroi se Zvicra është e shqetësuar për tensionet në veri.
“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa që të parandalojnë tensionet. Zvicra mbështet dialogun”, tha ai.
Në këtë takim u theksua rëndësia e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Zvicrës dhe mbështetja që shteti zviceran ka dhënë për Kosovën. (A2 Televizion)