Prishtina po e vret dialogun. Kështu u shpreh kryenegociatori i Serbisë në bisedimet me Kosovën, Petar Petkovic një ditë pas raundit të ri të dialogut në Bruksel.
Petkoviç dhe kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, u takuan të martën më bisedime të ndërmjetësuara nga përfaqësuesi i BE-së, Mirosllav Lajçak, por që përfunduam pa ndonjë marrëveshje.
Palët diskutuan, mes tjerash, për Marrëveshjen Bazë drejt normalizimit të marrëdhënieve, për të zhdukurit në luftë dhe për një marrëveshje për energjinë.
Petkoviç tha në një postim në X të mërkurën se Bislimi i “refuzoi” dhe i “kritikoi” të gjitha këto. Sakaq, më herët kryenegociatori kosovar tha se pala serbe kishte refuzuar të angazhohej në diskutime për miratimin e planit të zbatimit dhe zyrtarizimit të Marrëveshjes Bazë, bazuar në garancitë e kërkuara në takimin e liderëve, javën e kaluar.
Në bisedimet e Brukselit më 26 qershor, Kurti paraqiti tre kërkesa për Serbinë: nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë, tërheqjen e letrës me të cilën Serbia refuzoi zyrtarisht ta zbatonte marrëveshjen me Kosovën, dhe dorëzimin në Kosovë të Millan Radoiçiqit, i dyshuar për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë. Vuçiç i refuzoi të trija këto kërkesa. (A2 Televizion)