Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero tha nga Brukseli se pasi vendet anëtare miratuan agjendat e reformave të pesë partnerëve nga Ballkani Perëndimor, përfshirë Kosovën, Komisioni Evropian do të jetë në gjendje t'i miratojë zyrtarisht këto agjenda, por nuk specifikoi se kur do të ndodhë. Ajo shtoi se pritet që pagesat nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor të fillojnë sa më shpejt. Pisonero theksoi edhe parakushtin që ka Serbia dhe Kosova për marrjen e përfitimeve financiare
“Pas mendimit pozitiv të vendeve anëtare më 11 tetor për agjendat e reformave të paraqitura nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, Komisioni, si hap tjetër, do të jetë në gjendje të vazhdojë me miratimin zyrtar të agjendat e reformës. E dëgjuat presidenten, kjo padyshim do të bëhet së shpejti. Komisioni do të lidhë marrëveshje për koncesione dhe kredi me secilin nga pesë partnerët. Kjo do të na mundësojë më pas të vazhdojmë me pagesat e para financimit sipas agjendës së reformës. Pritshmëria është që ne të arrijmë ta bëjmë sa më shpejt të jetë e mundur. Po ashtu, Komisioni Europian do të vlerësojë edhe parakushtin që ka Kosova dhe Serbia për sa i përket angazhimin në procesin e normalizimit të dialogut, si një mënyrë për të marrë edhe financimet”. (A2 Televizion)